SHARE

Vërshimet e ditëve të fundit kanë shkatërruar infrastrukturën rrugore, kanë përmbysur fushat si dhe ka pasur rrëshqitje të dheut dhe gurëve në disa pjesë të rajonit të Tetovës.

Banorët e komunës së Tearcës, pas daljes nga shtrati i lumit Ponika, fajin ia hedhin faktorit njeri, duke filluar nga mosmirëmbajtja e shtratit të lumit e deri te hedhja e mbeturinave.
“Gjithmonë kur bie shi ka probleme jo nga natyra, por nga faktori njeri, mosmirëmbajtja e lumit, mosrregullimi i shtratit dhe gjithkund zgjerohen urat, ndërsa komuna jonë i ka zvogëluar. Faktori është njeri këtu, jo natyra, pasojat janë nga dora e njeriut, këto mbeturinat që shihni ju, goma, këto nuk janë nga natyra, këtë janë nga dora e njeriut, shkatërrimi i pyllit, kjo është dënim nga natyra për faktorin njeri”,- theksoi një qytetar.
“Ka bërë dëme edhe boll, ndodh se nuk pastrohet mirë”,– u shpreh një banor.
Vërshimet përsëri kanë vështirësuar edhe lëvizjen e banorëve të Malësisë, pasi Përroi i Madh përsëri është në të njëjtën gjendje, duke bërë që uji të rrjedhë në mes të rrugës, ndërsa shtrati i tij vazhdon të jetë i mbushur me gurë dhe rërë.
“Unë vetëm mbrëmë kam ardhur nga puna prej orës shtatë e gjysmë, tetë, është pastruar vetvetiu nga uji, vetë është bllokuar, vetë është liruar. Rrezik më i madh se këtu nuk ka ku të ketë, ky ujë kalon nëpër rrugë dhe bëhet e gjithë ngricë afër 1,5 km dhe vendi është i keq, shumë është jashtëzakonisht e rrezikshëm, nëse nuk rregullohet kemi rrezik gjithmonë. Ne kemi marrë masa si banorë vetë t’i rregullojmë kanalet, që ujit t’i gjejmë një zgjidhje”,– deklaroi kryetari i Bashkësisë Lokale i fshatit Brodec, Bashkim Fejzullahi.
Ndërkohë, në Porroj vazhdon edhe më tej problemi me ujësjellësin e fshatit, i cili është shkatërruar tërësisht. Kryetari i Bashkësisë Lokale të Porrojit shprehet i zhgënjyer si nga pushteti lokal ashtu edhe nga ai qendror, pasi ata kishin premtuar rregullimin e shtratit të lumit dhe digave mbrojtëse mbi fshat, por deri më tani, sipas tij, kjo nuk ka ndodhur.
“Vitet e fundit te ne bëhen shpesh vërshimet e lumit dhe dëme shumë të mëdha. Vitin e kaluar neve na u premtua se në vitin 2018 do të fillohet me punë për shtratin e lumit, pjesën lart dhe nëpër fshat për parandalimin e fatkeqësive tjera, tani jemi në 2018 nuk ka asnjë lloj iniciative, as nga komuna e Tetovës as nga qeveria, edhe pse kryeministri na ka premtuar se në fillim të 2018 do të niset me punë, me intervenime”,– tha kryetari i i Bashkësisë Lokale i fshatit Porroj, Sulejman Ramadani.
Nga komuna e Tetovës sot janë shprehur se janë duke punuar për pastrimin e rrugëve dhe hapjen e të njëjtave.
“Në fshatin Porroj mbi urën e Armatës është intervenuar me makineri të rëndë, me qëllim mos shfaqet ndonjë problem tjetër më i madh. Në rrugën Porroj – Xhermë, për furnizimin me ujë ne do të marrim në shqyrtim kërkesën e banorëve dhe normalisht ashtu siç kemi intervenuar edhe në të kaluarën me cisterna të ujit në qoftë se do të paraqitet nevoja do të intervenojmë, normalisht ata janë banorë të komunës së Tetovës. Sa i përket intervenimit të rrugës Porroj – Xhermë, ekipet tona kanë qenë në terren, bëhet vlerësimi i situatës dhe normalisht kompanitë e kontaktuara për këto çështje do të marrin masa të nevojshme”,- u shpreh zëdhënësi i komunës së Tetovës, Armend Fazlia.
Përndryshe, edhe më tej rruga e Banjës së Tetovës është e kalueshme vetëm në njërin krah të rrugës, ndërsa ende ka rrezik për rrëshqitje të dheut dhe gurëve. Ndërkohë, sipas komunës së Tetovës, po punohet në rregullimin e defekteve që ka pësuar ujësjellësi i Tetovës edhe atë tek dy burimet, në Leshnicë dhe në burimet e Vakëfit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here