SHARE

Dyshime lidhur me vrasjen e politikanit Oliver Ivanoviq.

Policia e Kosovës ka arrestuar sot katër persona në veri të Mitrovicës, tre prej të cilëve, janë të dyshuar në lidhje me vrasjen e politikanit serb nga kjo pjesë e Kosovës, Oliver Ivanoviq.Lajmin është konfirmuar për nga  Policia e Kosovës, ku thonë që arrestimet janë bërë me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Gjatë kohës së aksionit të policisë, në veri të Mitrovicës, të banuar me shumicë serbe, është lëshuar edhe alarmi që paralajmëronte rrezikun e përgjithshëm. Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, përmes një komunikate për medie, ka bërë të ditur se me urdhrin e saj është realizuar aksioni i policisë në veri të Mitrovicës, “ku janë arrestuar katër të dyshimtë se janë të përfshirë në vrasjen e Oliver Ivanoviqit”.

Kryetari i komunës së Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, i cili ka treguar identitetin e personave që janë arrestuar sot në Mitrovicën e veriut, ka theksuar që aksioni i Njësive të Policisë së Kosovës, ka shqetësuar qytetarët e Mitrovicës veriore. Ai u ka thënë medieve se dy nga personat e arrestuar, Dragisha Markoviq dhe Sasha Gjuriq, janë pjesëtarë të Policisë së Kosovës nga policët nga komanda veriore e Mitrovicës.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, iu tha ambasadorëve të Kuintit në Prishtinë, se qeveria e Kosovës është e përkushtuar të ruaj qetësinë dhe rendin për gjithë qytetarëve, pavarësisht zhvillimeve të fundit, që ndërlidhen me taksën doganore dhe arrestimeve në veri të vendit. Sipas njoftimit të qeverisë, kryeministri demantoi informacionet “për të ashtuquajturën krizë humanitare në veri”.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, përmes një deklarate për media, arsyetoi veprimet e fundit të institucioneve të Kosovës si përpjekje për të ndalur, siç tha, destruktivitetin e liderëve institucional të Serbisë ndaj Kosovës.

Në disa vendbanime serbe në Kosovë janë mbajtur protesta njëorëshe kundër aksionit policor në veri, por edhe kundër vendosjes së takës doganore nga ana e autoriteteve të Kosovës ndaj produkteve serbe .

“U bëjmë thirrje qytetarëve që të përmbahen, jeta duhet të vazhdojë. U thamë njerëzve që të shpërndahen, të shkojnë në punë, fëmijtë të shkojnë në shkollë, këtu na duhet paqa, por na duhet edhe furnizimi normal I veriut me ushqim.” –tha Igor Simiq – Lista serbe.

Në mëngjes Presidenti serb Aleksandar Vuciq ka mbajtur takime të jashtëzakonshme me shefat e ushtrisë, armatës dhe shërbimeve të sigurisë, kurse ka biseduar përmes telefonit edhe me zyrtarë të BE-së por edhe të ambasadave të Kinës dhe Rusisë në Beograd.  Politikani serb, Oliver Ivanoviq ishte vrarë më 16 janar 2018, para selisë së partisë së tij në Mitrovicën Veriore. Ai ishte kryetar i Iniciativës qytetare “Liria, Demokracia dhe Drejtësia”. /Klan Maqedoni

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here