SHARE

Tsipras do të flasë të premten në një tubim në Selanik.

Kryeministri grek Aleksis Tsipras ka kërkuar që Shkupi zyrtar të respektojë “në frymë dhe germë” Marrëveshjen e Prespës, duke paralajmëruar që në rast të kundërt nuk ka për të avancuar anëtarësimi i Maqedonisë në organizmat ndërkombëtarë.

“Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, ka obligimin që sa me amendamentet kushtetuese, aq edhe me deklaratat e zyrtarëve të saj, të respektojë frymën dhe germën e Marrëveshjes së Prespës. Nëse kjo nuk bëhet, nuk do të avancojë as marrëveshja, as anëtarësimi i IRJM në organizmat ndërkombëtarë.” – deklaroi Kryeministri grek Aleksis Tsipras.

Tsipras i bëri këto deklarata, duke folur nga tribuna e parlamentit, të martën në mesditë.

“Presim me shumë vëmendje përfundimin e procedurës kushtetuese, duke dhënë mesazhe të qarta aty ku nevojitet dhe aty ku duhet të jepen, dhe nuk i kemi dhënë në dialogun publik sa për impresion”, shtoi kryeministri grek.

Siç është njoftuar, Aleksis Tsipras do të flasë të premten në një tubim të madh në Selanik, në përpjekje për t’i shpjeguar opinionit marrëveshjen me homologun maqedonas Zaev, për zgjidhjen e çështjes së emrit të Maqedonisë.

Në prag të kësaj veprimtarie janë paralajmëruar tubime të kundërshtarëve, që përbëjnë një shumicë të jashtëzakonshme në Greqinë e Veriut. /Robert Goro/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here